ensq

Vermoshi

Vermosh, Albania

Vermosh, Albania

Në skajin më verior të Shqipërisë, në mbi 1000 m lartësi, gjendet fshati Vermosh.

Ky fshat është 31 km larg fshatit Tamare, qendra e komunës Kelmend. Vermoshi është i pasur me bukuri natyrore. Majat dhe shpatet e maleve, zbresin ëmbël mbi tabanin e sheshtë dhe të gjerë të luginës së Vermoshit duke i dhënë territorit pamjen e një stadiumi të stërmadh olimpik. Në gjirin e këtyre maleve gjenden ujvara, kanione, shpella, florë e faunë e pasur, të cilat do të mund t’i eksploroni nëpërmjet shtigjeve të shenjuara dhe me shoqërimin e guidave vendase. Komplekse arkitekturore tipike, histori, legjenda, mundësi akomodimi në bujtina dhe kampingje, njerëz mikpritës, bujar e shumë të tjera do të gjeni në Vermosh.
Fshati i Vermoshit është një ndër fshatrat më të mëdhenj të Alpeve shqiptare. I gjendur në një lartësi mbi 1000 m ka mbi 100 ditë të vitit të mbuluara nga dëbora, trashësia e së cilës shkon 100-150 cm. Vermoshi ka rreth 90 ditë të kthjellta në vit dhe rreth 2000 orë diellore.

Malet, që e rrethojnë këtë fshat, ngrihen në lartësitë 1500 m dhe mbi 2000 m dhe janë të pasura me burime ujore. Këto male të larta të veshura me pyje të dendur me ah, pisha dhe drurë të tjerë janë banesa e shumë shpendëve dhe kafshëve të egra si: Ariu i murrmë, kaprolli, ujku, derri dhe dhia e egër. Livadhet dhe kullotat alpine përveç luleve dhe bimëve të tjera rrisin mbi 30 lloje bimësh mjekësore dhe aromatike si: boronica, mjedra, salepi, balsami, bliri, cermedelli, etj. Bjeshkët e Vermoshit në Seferçë, Greben dhe Vilë kanë bukuri të rralla. Nëpërmjet shtigjeve të shenjuara dhe guidave vendase do të mund të provoni përvoja të ecjeve malore të paharruara dhe të shijoni bukuritë e bjeshkëve. Lumi i vetëm që përshkon këtë fshat është lumi i Vermoshit. Ujrat e tij nëpërmjet lumit Danub bëhen pjesë e Detit të Zi. Në Vermosh gjendet Ujëvara e Jaçicës, e Rroshajve dhe e Gjamëve, të cilat bukurinë maksimale e shpalosin në muajt Prill-Korrik. Një ekosistem interesant karstik, monument i natyrës, është kanioni i Gërçares. Vepra interesante të ujit janë dhe shpellat karstike si shpella e Jaçicës.

Pasuri kulturore e veçantë e Vermoshit është kompleksi arkitekturor tipik i zonës; shtëpitë tipike alpine 2-3 katëshe prej guri me shkallë jashtë, vatha e dhenëve, mullari i sanës, oborri me pemë frutore dhe gardhi. Gratë e këtij fshati bëjnë punime artizanale shumë të bukura prej leshi dhe punime me grep. Motivet e punimeve të tyre risjellin natyrën e bukur të Vermoshit si dhe shprehin besimin e krishterë të banorëve. Disa nga shtëpitë karakteristike të Vermoshit janë kthyer në bujtina. Çmimet e akomodimit janë të arsyeshme dhe mund të paguani në lek ose në euro. Mund të provoni gatimet tradicionale dhe produktet natyrale. Përveç bujtinave, në Vermosh do të gjeni vende kampingu. Në qendrën e këtij fshati do të gjeni bare dhe dyqane me artikuj të ndryshëm. Festat karakteristike të këtij fshati janë me natyrë fetare dhe festohen në muajt Qershor dhe Gusht. Në Vermosh operatorët e telefonisë së lëvizshme si AMC, Vodafone, Eagle dhe Plus nuk mbulojnë me valë këtë fshat, rrjeti që përdoret është Promonte i Malit të Zi.

Leave a Reply