ensq

Mes bijve të shqipes

Majat e Ballkanit: Në një rrugë të re shtegtimi mes malësisë së egër të Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë

NGA JOCHEN TEMSCH

Alpet e Shqiperise

Alpet e Shqiperise

Papritmas në mes të natës qentë fillojnë të lehin. Pastaj diku atje jashtë buçet një krismë në errësirë. Edhe një tjetër. Kalon ca kohë derisa gjëja e gjallë qetësohet dhe shtegtarët bien në gjumë. “Ishte një ujk, kishte çarë një dele”, thotë Manol Vatnikaj të nesërmen në mëngjes, teksa u servir miqve kafenë turke me shumë sheqer e shtresë të trashë kafeje në fund të filxhanit. Tregon i qetë a thua se po flet për një shi të lehtë.

Me sy blu e flokë të verdha bariu 20-vjeçar duket sikur ka dalë nga ndonjë reklamë pushimesh në ndonjë fermë në Tirolin e Jugut. Një ujk nuk mjafton për t’ia prishur humorin e mirë, ujqit janë mëse të zakonshëm në Dobërdol.

Stani shtrihet në një lartësi prej 1800 metrash në veri në Shqipërisë, pikërisht aty ky vendi ndahet me Malin e Zi dhe Kosovën. Honet e Ballkanit? Janë pikërisht këtu! E si të mos mjaftonin këto, shkëmbinj e lugina të thepisura plot zambakë mali, truall i zhveshur gëlqeror dhe bar i gjatë deri në gju, që rrëzëllen porsi argjend, sa herë fryn era.

Mbrëmjen e kaluar, kur mbërritën vizitorët, shpatet e luginës shkëlqenin në dritën e fundit të ditës: në krye Manol Vatnikaj me kuajt e ngarkuar, mushkat dhe mëzat kërcigjatë, pas tij një duzinë marshuesish, më i vjetri mes tyre i lënduar pas tetë orësh marshim ulur mbi kalë si të ishte Kara Ben Nemsi dora vetë – një karvan që as Karl Mai në librin e tij të aventurave “Në vendin e shqiptarëve” nuk do kishte mundur ta përshkruante më mirë.

Alpet e Shqiperise

Alpet e Shqiperise

Shqiptarët janë “bijtë e shqipes” siç e quajnë veten në gojëdhëna. Në Dobërdol gjithçka është po aq arkaike sa dhe para 100 vjetësh: të varura në shpate janë shpërndarë një duzinë shtëpish të thjeshta, muret janë me gurë të palatuar, vendosur njëri mbi tjetrin, çatitë me teneqe, dyshemetë vetëm dhé i ngjeshur. Për të fjetur shtrihemi mbi dyshekë të hollë, vendosur mbi kompensata. Manoli i kalon këtu muajt e verës nga qershori deri në shtator, me prindërit, vëllain dhe dy motrat e vogla. Fshati i tyre quhet Berisha dhe është dy ditë rrugë me kalë larg. Kur fillon të mbarohet ushqimi i kafshëve në luginë, Vatnikajt dhe familjet e tjera të fshatit ngjiten lart në stanet në mal. Atje kujdesen për dy kuaj, shtatë lopë dhe 120 dele – e kohët e fundit dhe për turistët që sa vijnë e shtohen.

Para tri vjetësh erdhi një burrë nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim

Alpet e Shqiperise

Alpet e Shqiperise

Ndërkombëtar (GIZ) në Berishë dhe e pyeti kryeplakun, nëse ishte e mundur që në stan të bënin vend për turistët e huaj. Kryeplaku caktoi djalin e vet, Manol Vatnikajn që të priste e të përcillte miqtë. Familja mori 1700 Euro nga GIZ-ja për të ndërtuar një fjetore, ndërsa 300 Euro duhet t’i vinte vetë. Një investim që tashmë e ka shlyer veten. Vitin e shkuar në stanin e Vatnikajve qëndruan 70 turistë, këtë vit ishin 50 vizitorë që në hapjen e sezonit. Secili paguan 15 Euro. Një dele vlen 70 Euro – familja Vatnikaj e ka shtuar ndjeshëm kopenë e saj. Papunësia, largimi drejt qyteteve – arsye që i shqetësojnë shumë të rinj në fshatra – nuk e prekin më Manolin, i cili thotë: „Nga turistët mund të fitoj më shumë në mal se në qytet, ku gjysma e rrogës duhet për të paguar qeranë e shtëpisë.“ Të ardhurat mesatare në Shqipëri janë 250 Euro në muaj. Por turistët nuk i çon rruga rastësisht te Vatnikajt. Dobërdoli është një prej 10 stacioneve përgjatë rrugës së re të marshimit prej 192 km që lidh Kosovën, Malin e Zi dhe Shqipërinë, një prej Majave të Ballkanit. Shtegu i marshimit përshkon Prokletijen, Alpet Shqiptare që janë pjesa e fundme e Vargmaleve Dinarike, të cilat fillojnë në Itali dhe shtrihen paralel me Adriatikun. Jezerca në Shqipëri dhe Gjeravica në Kosovë janë majat më të larta me lartësi përkatësisht 2694 dhe 2565 metra. “Bjeshkët e Namuna” ose “Bjeshkët e Mallkuara” e quajnë këtë malësi dhe kjo varet se kë pyet për përkthimin: një udhërrëfyes të apasionuar pas maleve e natyrës apo një taksist përtac që e ngjit rrugën veç me makinë. Idenë për një shteg ndërkufitar e patën dhe ca të apasionuar britanikë që pas mbarimit të luftës në Kosovë në vitin 1999.

Por vetëm në sajë të politikës evropiane dhe asaj gjermane për zhvillim u arrit që të bashkoheshin interesat e ndryshme të tri vendeve. Segmentet e shtegut janë të barabarta në secilin prej tri fqinjëve, por kjo nuk do të thotë se kompromiset përputhen gjithnjë me zgjidhjen më të mirë. Rrugët më të bukura i gjen me ndihmën e udhërrëfyesve, një pjesë e të cilëve janë trajnuar nga Shoqata Gjermane e Alpeve që është partnere e projektit dhe është përfshirë për zhvillimin e shtegut të marshimit.

Ata që nisen vetëm për marshim nuk e kanë të lehtë. Ende mungojnë tabela, harta dhe shtretër, por në vend të tyre ka mjaft burokraci për dhënien e lejeve.

“Shtegu është themeli i zhvillimit turistik”, thotë Barbara Fritz nga Agjencia e Konsulencës AGEG, e cila është angazhuar nga GIZ-ja për të trajnuar shtëpitë pritëse.

Alpet e Shqiperise

Alpet e Shqiperise

Marshuesit e distancave të gjata qëndrojnë më shumë në male se turistët ditorë, shpenzojnë më shumë para dhe ky është shans shumë i mirë për këtë zonë me varfëri të thellë. „Për 15 vjet familja ime ka jetuar në qytet, tani mund të kthehem sërish në male“, thotë 24 vjeçari Qëndrin Drfsha, pronar i një restoranti që ndjek një prej seminareve të Barbara Fritz. Për këtë seminar janë mbledhur në Shtëpinë Alpine në kanionin e Rugovës, pranë qytetit të Pejës në Kosovë një duzinë pronarë hotelesh dhe restorantesh. Në këtë vend lumi Peka Bistrica ka gërryer një kanion 1000 metra të thellë në shkëmb. Një rrugë e ngushtë gjarpëron deri lart në qafën e malit aty ku mbaron dhe udhëtimi deri në kufirin malazez pranë një transheje antitank. Dikur këtu kalonin karvanët që lidhnin Dubrovnikun me Stambollin.

Gjatë izolimit komunist të Shqipërisë nga diktatori Enver Hoxha këtu duhet të devijonte rrugën kushdo që donte të shkonte në Greqi. Ferma “Shtëpia Alpike” ka qenë dikur një mulli, i shkatërruar plotësisht gjatë luftës së Kosovës dhe tani përfaqëson atë çka kuptojnë vendasit me pushime në mal: një restorant me fjetore rustikale. Por vendasit preferojnë edhe udhëtime me makinë për të bërë piknik.

Alpet e Shqiperise

Alpet e Shqiperise

Ndërsa marshimi u duket krejt i çuditshëm, madje në shqip nuk ka as fjalë për këtë lloj sporti dhe kështu mund të lindin keqkuptime. Barbara Fritz u shpjegon pjesëmarrësve në trajnim se çfarë duan turistët perëndimorë: akomodim në pensione të vogla, mjedis të pastër, ushqime të zonës dhe gra, të cilat nuk fshihen në kuzhinë sipas roleve tradicionale, por presin e përcjellin miqtë. Kjo funksionon diku më shumë e diku më pak. Për shembull mamaja dhe motrat e Manol Vatnikajt gatuajnë në Dobërdol në një kasolle larg miqve. Djemtë shërbejnë ushqimin, ndërsa gratë nuk duken fare. E sa i përket ushqimeve, po të ishte për disa vizitorë do ishte më mirë të mos ishin dhe aq tipike e tradicionale. Ka shumë mish dashi dhe ushqime të athëta me qumësht të pazierë që shoqërohen me mazë të zime, një lloj kaçamaku me shumë gjalpë – për banorët e varfër të kullotave një drekë miqsh, ndërsa për disa vizitorë arsye e mjaftueshme për të hapur çantën e shpinës dhe për të ngrënë bukën e zezë që kanë sjellë me vete.

Edhe për mjedisin ka ende punë për të bërë. Përgjatë shtegut ka mbeturina dhe nevojtoret ndonjëherë nuk janë gjë tjetër veçse një kasolle druri me një vrimë në tokë sipër një përroi deri atëherë të pastër.

Jo çdo gjë është perfekte, ende jo, thotë Vyrtyt Morina, por po punojmë. Kosovari 36 vjeçar ka mjekër të shkurtër dhe flokët i mban të lidhura bisht kali pas kokës. Kanioni i Rugovës është territori i tij. Së bashku me anëtarët e klubit të alpinizmit “Marimangat” ai ka ndërtuar këtu 56 itinerare ngjitjeje, një shteg ngjitjeje dhe ka hapur disa shpella.

Virtyti është një prej aktivistëve më të angazhuar të shtegut. “Për të kuptuar se ç’do të thotë kjo rrugë, duhet të njohësh historinë tonë” thotë ai, deri para 25 vjetësh në Shqipëri nuk hynte këmbë turisti, para 15 vjetësh në Kosovë bëhej luftë. Sot na lidhin malet.“Gjurmët e luftës dallohen ende. Në Pejë (në serbisht Pec), shumica e ndërtesave janë të reja, qyteti u dogj gjatë luftës. Kolona me portrete buzë rrugës përkujtojnë luftëtarët e rënë të UÇK-së. Ndërsa monumentet kulturore serbo-ortodokse si për shembull manastiri Visoki Deani duhet të mbrohen nga ushtarët e KFOR-it. Po të ecësh përgjatë mureve të larta të manastirit të mbuluara me tela me gjemba arrin në fshatin Junik, i cili gjatë luftës ishte nën kontrollin e UÇK –së dhe u shkatërrua plotësisht nga serbët.

Këtu mbërrinin dhe armët nga depot e bastisura të Enver Hoxhës, të cilat shqiptarët ua kalonin kontrabandë vëllezërve kosovarë. Pas Junikut fillon pylli dhe kur ndonjë turist do të shkojë andej, udhërrëfyesi i thërret: “Kujdes, zonë e minuar!”. Shtegu zyrtar kalon nëpër një territor të sigurt dhe nuk ka si të bëhet më i larmishëm: peizazhi herë është i butë si në Algoj, herë i ashpër si në Dolomite, herë herë rruga të çon në qytete si Plava në Mal të Zi, ku po të mos ishin minaret e xhamive mund të besoje se je në Bavarinë e Sipërme.

Alpet e Shqiperise

Alpet e Shqiperise

Por akoma më mahnitëse janë malet në Shqipëri. Përgjatë shkëmbinjve të rrëzuar, bunkerëve të rrënuar dhe barakave ushtarake shtegu të çon në një peizazh karstik. Prej aty dallohet maja e lartë e Arapit me faqen e tij jugore prej 900 metrash lartësi. Poshtë saj lugina e Shalës ku shtrihen të shpërndara andej – këtej shtëpitë e Thethit. Në dimër zona është e izoluar nga bota dhe në verë mund të arrihet vetëm duke kaluar nëpër qafa të ngushta me rrugë plot gropa. E megjithatë turistët kanë mbërritur prej kohësh në Theth. Ata bëjnë ekskursione ditore dhe ecin deri në luginën fqinjë në Valbonë, në drejtim të Jezercës. Një prej atraksioneve të Thethit është dhe Kulla e Ngujimit, ku dikur

ngujoheshin burrat nga frika e gjakmarrjes. Rrënojat e një shtëpie të shkrumbuar anës fshatit dëshmojnë se hasmëritë vrastare ende nuk kanë mbaruar. Bujtina e Prekë dhe Lula Harushës ishte e para që u mbështet nga projekti i turizmit të GIZ-së. Kullën e dikurshme të gurit familja e ka zgjeruar dhe ka shtuar edhe katet.

Darka shërbehet në një tryezë të gjatë. Në fund të darkës të zotët e shtëpisë njoftojnë se po vjen lahutari, burri që në raste festash rrëfen me lahutë historinë e Thethit.

Miqtë janë të emocionuar si fëmijët para Krishtlindjeve. Hapet porta dhe hyn Martin Pisha, 80 vjeç. Ka veshur një kostum të zi dhe në kokë mban qeleshen tradicionale. Ai shpjegon se lahuta është 200 vjeçare, e bërë me dru bliri, qime kali dhe lëkurë dhish. Harku kalon mbi tela dhe lahuta lëshon gërvima. Plaku reciton pjesë nga 15 000 vargje të trashëguara gojarisht brez pas brezi, këndon me zë monoton për malet, për eksodin në Kosovë dhe heroin kombëtar Skënderbeun.

“Unë jam lahutari i fundit”, thotë Pisha, “të rinjtë nuk duan ta mësojnë më lahutën”. Miqtë janë të emocionuar. Pastaj lahutari thërret pranë një djalë të vogël, i cili e ka filmuar shfaqjen me iPhone dhe tani duhet ta hedhë në Youtube. “Për fëmijët që i kam jashtë shtetit” thotë Martin Pisha, “interneti është diçka e mrekullueshme.”

Në kullotën malore ata kujdesen për kuajt, lopët dhe delet e së fundmi edhe për turistët. Organizime udhëtimesh: DAV Summit Club ofron një udhëtim 12 ditor në “Majat e Ballkanit”. Rezervimet për vitin 2014 janë mbyllur.

Udhëtimet e tjera do të zhvillohen në korrik, gusht dhe shtator 2015. Çmimi për person (fjetina, bujtina, hotele) duke filluar nga 1895 Euro përfshirë fluturimin në dhe nga Prishtina, transportin, tri vaktet dhe udhërrëfyesin.

Në qershor dhe shtator 2015 ofrohen dhe marshime ditore me akomodim në hotele në Plavë dhe Valbonë, www.dav-summit-club.de , Tel.: 089/64 24 00.

Për informacione të mëtejshme:

“Peaks of the Balkans“ në internet: www.peaksofthebalkans.com;

Klubi i alpinizmit i Vyrtyt Morinës: www.marimangat.org;

Guida e Thethit: www.thethi-guide.com

Guida gjermane: Ricardo Fahrig, www.zbulo.org

Lugina e Valbonës: www.journeytovalbona.com

Rrënojat e shkrumbuara të një shtëpie dëshmojnë për hasmëritë që ende vazhdojnë.

Ilustrim: Përshëndetje nga Karl Mai: bariu 20 vjeçar Manol Vatnikaj (në mes) i drejton vizitorët mes përmes luginës së Dobërdolit, ku ai dhe familja e tij kalojnë muajt e verës.

Thethi në luginën e Shalës rrëzë malit të Arapit (poshtë) izolohet plotësisht në dimër.

Turizmi krijon të ardhura më të mira për banorët e fshatit.

Fotografitë: Temsch

Artikull i botuar ne: Süddeutsche Zeitung, datë 10.07.2014