Thethi për herë të parë në dokumenta del në vitin 1485, me emrin Fusha dhe kishte 7 shtëpi “Defteri i rregjistrit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485, vellimi I-rë, botim i 1974,fq.150” Në vitin 1987 kishte 147 shtëpi me 1300 banorë; dhe në vitin 2000 numërohen 74 shtëpi me 650 banorë.
Në Theth mund t’i gëzohesh jo vetëm natyrës së bukur, por edhe historisë, zakoneve, dhe mënyrës së jetesës, sa të vështire aq edhe fisnike.
Të huajt befasohen nga forca, karakteri, dashamirësia, sinqeriteti dhe ëmbëlsia e këtyre malësorëve që trashëgojnë forcën nga të parët, integrimin, socializimin nga etja për të qenë një popull i barabartë mes popujve. Ata tejçojnë pasuri shpirtërore tek çdo turist që viziton zonën e tyre të dashur. Legjendat dhe gojëdhënat janë ruajtur dhe përcjellur brez pas brezi në këtë luginë kaq të jashtëzakonshme me të panjohurat mistike që fsheh ndër shekuj.
Me interes te veçantë vrojtohen edhe kostumet tradicionale të Thethit, të veçanta për nga menyra e ndërtimit. Xhubleta shumëvjeçare e stolisur bukur nga duart e grave të Thethit, përçon fisnikëri në trupat si selvi të grave dhe vajzave Thethiane. Po kaq interesante dhe e bukur është edhe veshja elegante e burrave dhe djemve të Thethit që janë tirqit me xhamadanin e burrave kreshnikë të kësaj malesie, që tingëllon si legjendare. Pothuajse të gjithë të rinjtë e Thethit janë me arsim të mesëm dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre me arsim të larte dhe me tituj shkencorë në Universitetet e vendit dhe ato të huaja.